top of page
Search

Lidhjet e Humbura -- Pjesa e Dyte

  • Writer: Liliana's Practice
    Liliana's Practice
  • Mar 11
  • 6 min read

Vetëm për t'ju kujtuar, këto janë 7 llojet e shkëputjes që Johann Hari përshkruan në librin e tij:


  1. Shkëputja nga puna kuptimplotë

  2. Shkëputja nga njerëzit e tjerë

  3. Shkëputja nga vlerat kuptimplote

  4. Shkëputja nga trauma e fëmijërisë

  5. Shkëputje nga statusi dhe respekti

  6. Shkëputja nga bota natyrore

  7. Shkëputje nga një e ardhme shpresëdhënëse dhe e sigurt


Më poshtë është një përmbledhje e informacionit të ofruar për çdo lloj shkëputjeje, duke filluar nga #2. Hyrja për shkëputjen nga puna kuptimplote është përfshirë në një postim të mëparshëm në blog.


Shkëputja nga njerëzit e tjerë


Këtu zoti Hari flet për disa studime të kryera nga një neuroshkencëtar i quajtur John Cacioppo. Një nga gjetjet shumë befasuese ishte se të qenit thellësisht i vetmuar rrit nivelin e kortizolit (hormoni që aktivizohet nën stres) po aq sa goditja me grusht në fytyrë.


Këtu janë disa gjëra të tjera që kanë gjetur studimet mbi vetminë:


  • Njerëzit e izoluar kapin ftohjen tre here me shpesh se njerëzit që kishin lidhje të ngushta me të tjerët.

  • Pothuajse çdo sëmundje bëhet më fatale nëse jeni vetëm: kanceri, sëmundjet e zemrës ose problemet e frymëmarrjes. Nëse njerëzit sëmureshin dhe ishin të izoluar nga shoqëria, ata vdisnin më herët ose të kishin simptoma më të rënda.

  • Njerëzit që raportojnë se janë të vetmuar flejnë më keq. Atyre u ndodh një fenomen që quhet "mikro-zgjim." Kjo do të thotë qe zgjohen shpesh herë për disa momente gjatë natës. Si rezultat, flejnë më keq dhe nuk çlodhen mjaftueshëm.


Shkëputja nga vlerat kuptimplote


Studimet kanë parë ndryshimin midis atyre që quhen qëllime të jashtme dhe qëllime të brendshme.


Qëllimet e jashtme janë qëllime që fokusohen në marrjen e aprovimit nga jashtë. Këto janë gjëra të tilla si blerja e shumë gjërave, blerja e artikujve të shtrenjtë ose me firmë, kryerja e aktiviteteve që ju bëjnë të dukeni për njerëzit përreth jush. Ato janë në thelb qëllime që fokusohen në marrjen e pushtetit, lavdërimit ose statusit në shoqëri.


Qëllimet e brendshme janë shumë të ndryshme -- këto janë qëllime që kanë kuptim personalisht për ju. Ato përfshijnë kryerjen e aktiviteteve që ju sjellin kënaqësi, si një zanat, një hobi ose thjesht diçka që ju duket argëtuese. Edhe gjërat si shikimi i një filmi ose shfaqjeje televizive, ose luajtja e një videogame mund të jenë kuptimplotë nëse ato bëhen për kënaqësi, jo si një mënyrë për të mpirë veten nga bota.


Në një studim, njerëzit që arritën qëllimet e tyre të jashtme nuk raportuan absolutisht asnjë ndryshim në lumturinë e tyre të përditshme. Ata nuk ishin më të lumtur. Ndryshe nga ata, njerëzit që arritën qëllimet e tyre të brendshme raportojnë se ndjehen më të lumtur, më pak të dëshpëruar dhe më pak të shqetësuar.


Këtu janë katër arsyet pse ndjekja e qëllimeve të jashtme zakonisht nuk sjell lumturi:


  1. Fokusi në gjëra që behen veç per dukje dëmtojne marrëdhëniet e njerëzve me njëri-tjetrin. Mund të silleni në mënyra egoiste, të përqendroheni në marrjen e pushtetit mbi të tjerët ose thjesht të mos kaloni kohë cilësore me ta.

  2. Sociologët kanë zbuluar se ne ndjejmë kënaqësinë më të madhe nga diçka që quhet "gjendje rrjedhëse". Këto janë momente kur humbasim veten duke bërë diçka që na jep vërtet kënaqësi. Kur ndjejmë presion për të përfunduar një detyrë, nuk mund ta vlerësojmë procesin e saj.

  3. Materializmi na lë të pambrojtur ndaj një bote përtej kontrollit tonë. Nëse nuk jeni në gjendje të fitoni shumë para, ndiheni të pafuqishëm për të arritur qëllimet tuaja. Nëse dëshironi të arrini një status social, por jeni në një mjedis ku nuk mund të ecni përpara, mund të ndiheni të dëshpëruar dhe të pafuqishëm.

  4. Si qenie njerëzore, ne kemi disa nevoja emocionale shumë të rëndësishme që duhet t'i plotësojmë. Ne duhet të ndihemi të vlerësuar, të ndihemi të sigurt, të kemi autonomi dhe të ndihemi të vleftshëm. Materializmi nuk plotëson asnjë nga këto nevoja. Pavarësisht se sa gjëra keni ose sa të shtrenjta janë gjërat tuaja, gjërat nuk janë ato që do t'ju bëjnë të ndiheni të sigurt, të vlerësuar, të lirë ose të rëndësishëm.


Shkëputja nga trauma e fëmijërisë


Shpesh marrim mesazhe si:

  • Lëre të kaluarën në të kaluarën.

  • Kjo është jeta.

  • Kaloje tashmë -- nuk je më fëmijë.

  • Mos i fajëso të tjerët për problemet e tua.

Dhe mesazhe të tjera si këto.


Sigurisht që këto këshilla e kanë një vlerë. Eshtë mirë të mund t'i lëmë prapa vuajtjet e së shkuarës. Jeta përfshin vuajtjen. Nëse ngecim duke fajësuar të tjerët, nuk mund të ecim përpara.


Megjithatë, ky lloj mendimi dhe këshillimi lë jashtë një pjesë tepër të rëndësishme. Përpara se të mund t'i "kapërcejmë" gjërat, ose "të ecim përpara", duhet të merremi me atë që po përpiqemi të kapërcejmë.


Mendoni se si funksionon shëndeti fizik. Nëse thyeni një kockë në krah, nuk "e kapërceni". Ju merrni trajtimin mjekësor që ju ndihmon të shëroheni. Nëse e lini kohën të kalojë dhe mendoni se do të përmirësohet vetvetiu, ndoshta kocka do të "shërohet", por nuk do të rregullohet kurrë ose nuk do të kthehet në normalitet. Pa e drejtuar kockën tamam në vend të duhur, nuk do të jeni kurrë më në gjendje të bëni gjithçka që mund të bënit para se të thyej. Por, nëse shkoni ke një doktor i mirë dhe e shëroni tamam, krahu mund të behet njësoj sikur s'ishte thyer kurrë.


Trauma psikologjike është e njëjtë. Ai shkakton dëm, dhe ai dëm mund të bëhet i përhershëm nëse nuk e pranoni kurrë dhe nuk merrni ndihmë për ta tejkaluar plotësisht.


Këto janë disa nga simptomat e traumës psikologjike:

  • Zhvilloni besime negative për veten tuaj. Mund të besoni sinqerisht që nuk jeni të vlershëm, që nuk meritoni dashurinë, ose që ndjenjat tuaja nuk janë të pranueshme.

  • Zhvilloni besime negative për njerëzit e tjerë dhe botën. Mund të mendoni se nuk mund t'i besoni askujt. Për këtë arsye, mund të mbani gjithmonë njëfarë distance shpirtërore nga njerëzit, madje edhe njerëzit që ju duan dhe duan t'ju mbajnë pranë.

  • Zhvilloni sjellje që ju shkaktojnë më shumë dëm.

    • Mund t'ë nxeheni kollaj e të bëni sherr me njerëzit edhe për gjëra të vogla.

    • Mund të rrini me njerëz që nuk ju trajtojnë me dashuri ose me respekt, ndoshta duke besuar që nuk meritoni trajtim më të mirë.

    • Mund të keni frikë të bëni hapa përpara në jetë dhe nuk ndiqni një karrierë ose një arsim që dëshironi.

    • Mund të zhvilloni zakone obsesive kompulsive.

    • Ju mund të bëheni të varur nga droga, nga alkoli, ose nga zakone të dëmshme, si bixhozi.

    • Mund të mos ndiheni në gjendje të shijoni jetën, dhe madje të dëshironi të vdisni.


Këto janë të gjitha simptoma serioze dhe ato nuk mund të zhduken kurrë nëse nuk e pranoni dhe nuk shëroni traumat emocionale.


Studimet kanë treguar se abuzimi emocional ka më shumë mundësi të shkaktojë depresion, madje më shumë se abuzimi fizik apo seksual.


Shkëputje nga statusi dhe respekti


Këtu nuk bëhet fjalë për statusin në nivel sipërfaqësor. Nuk bëhet fjalë për të pasur një titull të caktuar apo për të marrë lëvdata boshe.


Kjo ka të bëjë me ndjenjën se keni një vend në shoqëri. Bëhet fjalë për njerëzit që ju vlerësojnë për atë që jeni dhe ju pranojnë ashtu siç jeni. Bëhet fjalë për të ditur se ju meritoni të trajtoheni me respekt, pa marrë parasysh se nga vini, cila është raca juaj, cili është statusi juaj ekonomik, çfarë lloji i punës bëni ose ndonjë faktor tjetër të tillë.


Shkëputja nga bota natyrore


Kjo është diçka që ne e harrojmë ndonjëherë, por ndjenja e një lidhjeje me natyrën dhe bukurinë rreth nesh është një faktor i madh në mirëqenien emocionale.


Një studim vuri një grup njerëzish që jetonin në qytet të bënin një shëtitje në një park për një orë. Pas asaj shëtitje, i bënë pyetje për ndjenja të ndryshme dhe testuan përqendrimin e tyre. Siç e parashikuan, të gjithë raportuan se ndiheshin më mirë pas shëtitjes. Të gjithë kishin përmirësim në përqendrim.


Shkëputje nga një e ardhme shpresëdhënëse dhe e sigurt


Të ndihesh i pashpresë për të ardhmen, kuptohet që të çon në depresion. Nëse nuk besojmë se kemi diçka për të pritur nga e ardhmja, na ikën motivimi dhe dëshira për të bërë aktivitete në jetë. Si rezultat, mund të duket sikur koha ndalon në momentin e tanishëm përgjithmonë. Aq më keq, nëse kjo e tanishme është e mbushur me dhimbje emocionale, mund të ndihet si një burg nga i cili nuk do të shpëtojmë kurrë.


Një studim që shqyrtoi njerëzit vetëvrasës dhe vizionin e tyre për të ardhmen zbuloi se për atë popullsi, e ardhmja ishte "zhdukur". Kur u pyetën të përshkruanin veten në pesë ose dhjetë vjet, dukeshin thjesht të hutuar. Nuk kishin përgjigje. Ishte sikur një pjesë e ndërgjegjes së tyre kishte pushuar së funksionuari siç duhet.


Në përmbledhje


Në studimet e tij, Johann Hari mësoi shumë se si llojet e ndryshme të shkëputjes ndikojnë në shëndetin mendor të njerëzve.


Nëse e shihni veten në disa nga këto përshkrime dhe vini re se jeni shkëputur nga elementët thelbësorë në jetën tuaj, mos u dëshpëroni. Ka ndihmë për të gjitha.


Postimi i ardhshëm i blogut do të përfshijë konkluzionet e Johann Harit se si të rregullohen këto lidhje, si dhe vëzhgimet dhe sugjerimet e mia.

 
 
 

Recent Posts

See All

Comments


bottom of page